AlbanianSport.com 23.01.2015 09:40
ASNN – Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Alban Meha sapo është rikthyer nga dëmtimi në gju dhe i është bashkuar rregullisht në stërvitje skuadrës së tij, Paderbornit. Kjo e fundit vijon fazën përgatitore në Belek të Turqisë, ndërkohë që lojtari i Kombëtares shqiptare luajti edhe një pjesë loje në miqësoren e para dy ditëve, ndaj SV Darmstadit, që u mbyll në barazim 1-1.
Por, mediat gjermane janë të fokusuara te Meha si për shkak të dëmtimit disi misterioz të tij në gju dhe për rinovimin e kontratës me Padebornin. Për këtë arsye, mesfushori kosovar i kuqezinjve i është përgjigjur interesimit të medias gjermane në një intervistë, ku ka sqaruar si dëmtimin dhe të ardhmen e tij. “Prej tri ditësh nuk ndiej më dhimbje”, – ka deklaruar futbollisti kosovar për mediat gjermane.
“Jam stërvitur kohët e fundit jo më shumë se 30 minuta për të mos sforcuar gjurin, dhe le të urojmë që do të kalojë gjithçka dhe do vijoj rregullisht me skuadrën, – ka vijuar ai. – Gjatë kësaj kohe nuk jam praktikuar shumë edhe me goditjet e dënimit, pasi nuk kam qenë në formën time më të mirë. Ndoshta fakti se në të shkuarën jam marrë gjerësisht në stërvitje me goditjet e dënimit, kjo mund të ketë ndikuar te dëmtimi në gju.”