Gjergj Vyshka 23.01.2015 08:30
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, ka lajmëruar se të shtunën në mjediset e ish-kompleksit Dinamo, që sot zotërohen nga Agjencia e Shërbimit të Sporteve, do të bëhet një takim i gjerë. Në të do të jenë Komisioni Drejtues i Federatës Shqiptare të Xhudos, Komisioni i gjyqtarëve, specialistë të xhudos, sportistë.
Dhe pikat që do të diskutohen janë: licencimet sipas afateve të caktuara, prioritetet për sportistët elitarë kandidatë për pjesëmarrjen e tyre në veprimtaritë kualifikuese për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, Federata Botërore e Xhudos ofron një trajner specialist për ndihmë në federatë dhe do të diskutohet koha, mundësia dhe organizimi i një kursi kualifikimi.
Po kështu do të diskutohet rregullorja e funksionimit të komisioneve të Federatës Shqiptare të Xhudos, shpërndarja e fondit grand dhe prioritetet që janë për këtë vit për garat kualifikuese të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, diskutimi për donacionet e dhëna nga Federata Botërore e Xhudos, të gjithë pjesëmarrësit që përfitojnë nga projekti “Xhudo për fëmijë” duhet të vinë të përgatitur sipas kërkesave të koordinatorit Florian Progri.
Këto janë pikat e diskutimit të mbledhjes së xhudos shqiptare, e cila do të zhvillohet të shtunën.