Gjergj Vyshka 23.01.2015 07:55
Presidenti i Tërbunit, Grand Frroku, së bashku me shkodranin e bankinës pukjane, Elvis Plori, dje në mesditë kanë prezantuar mesfushorin Abaz Karakaçi, i cili ka ardhur nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër, teksa deri në dhjetor ka qenë pjesë e Apolonisë në Kategorinë Superiore.
Ultrasit “Shqiponjat e Veriut” i kanë uruar suksese Karakaçit me Tërbunin dhe jo vetëm kaq, por e kanë uruar atë që të ketë paraqitje sa më të mira me kryesuesit e grupit të Veriut në Kategorinë e Parë.
Madje tifozët pukjan kanë premtuar mbështetje jo vetëm për të, por dhe për të gjithë skuadrën, e cila sot në mesditë do të luajë miqësoren e dytë të periudhës përgatitore dimërore.
Pikërisht në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, ata do të luajnë me Dinamon. E kjo do të jetë miqësorja e dytë e Tërbunit të Plorit, kurse për blutë e Mehmetit është e katërta në këtë periudhë përgatitore dimërore.