Gjergj Vyshka 22.01.2015 15:50
Edhe pse kanë fituar me të rinjtë e Shkëndijës, shkodrani i stolit së Kamzës, Ylber Zani, ka qenë krejtësisht i pakënaqur. Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në “Facebook”, kjo dhe për të shkundur skuadrën, ai ka kërkuar një ndryshim rrënjësor të ekipit për ndeshjen e së shtunës ndaj Korabit, e cila në ora 17:00 do të luhet në kompleksin në Pezë-Helmës.
“Tjetër test miqësor Shkëndija e Nën-19-vjeçarë – Kamza 2-3, – shkruan trajneri. – Një fitore jo fort e bukur, ndërsa jam i pakënaqur për impenjimin e të gjithë lojtarëve në fushën e lojës. Asnjëherë nuk duhet të nënvvlerësohet një ndeshje, apo kundërshtari, pavarësisht se kë ke përballë. Në testin tjetër, Kamza-Korabi, që do të zhvillohet të shtunën në Pezë-Helmës në ora 17:00, kërkoj impenjim maksimal.”
“Kam besim tek grupi, prandaj jam shumë optimist se do t’i kalojmë këto vështirësi që kemi për momentin”, – ka theksuar ai. Kjo ishte fitorja e parë në katër ndeshje miqësore që Kamza ka luajtur në këtë periudhë përgatiore, teksa ka dy barazime dhe një humbje. Ka shënuar katër gola e ka pësuar po kaq. Pra ka shumë për të përmirësuar e për t’i mbijetuar më pas në Kategorinë e Parë.