Gjergj Vyshka 22.01.2015 11:10
“Nuk jam shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, sepse loja nuk mund të zgjidhet vetëm me një qarkullim të topit në të gjitha zonat, – ka deklaruar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, duke folur pas fitores 2-0 ndaj Gramshit. – Duhen gjetur të tjera mënyra për të qenë efikas përpara portës kundërshtare.”
“Është shumë e vërtetë që Xhafaj tërhiqet deri në rrethin e mesit të fushës për të marrë topin ndonëse duhet të jetë përpara portës kundërshtare për të goditur apo për të mbajtur nën presion mbrojtjen, – ka vijuar ai. – E për të zgjidhur këtë problem kemi si alternativë alternimin me Turdiun, që është i aftë të godasë.”
“Sigurisht që është detyra jonë për ta vënë përpara portës kundërshtare Xhafajn që të godasë, por kuptohet që skuadra do të jetë funksionale dhe në detyra të tjera, – ka theksuar kreu i stolit të bluve kryeqytetas. – Konkurrenca i bën mirë ekipit sepse kemi përpara një kampionat të gjatë ku ka ndëshkime për shkak të kartonëve, apo dëmtime.”
“Ka dhe pakënaqësi. Por në një garë ku duhet që ne të ngjitemi në Kategorinë Superiore duhet të ketë dhe prurje. Nuk ia heq kontributin këtyre lojtarëve, të cilët e sollën Dinamon deri në këtë pikë. Por skuadra ka nevojë për të gjithë”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.