AlbanianSport.com 21.01.2015 20:35
ASNN – Enriko Papa dje ka nisur zyrtarisht stërvitjen me Butrintin, ndërsa pas Hepajt e Jubanit është ardhja e tretë tek sarandjotët. Por bregdetarët, duke parë fuqizimet e skuadrave të tjera, ku sipas tyre Dinamo është përforcuar jashtëzakonisht e po kështu dhe Lushnja, Bylis e Sopoti, atëherë kanë kërkuar ndihmën e tifozëve për t’u ngjitur në Superiore.
Sarandjotët janë të ndërgjegjshëm se nuk kanë bërë një pjesë të parë të mirë të sezonit. Por, sipas tyre, në këto katër muaj deri në përfundim të kampionatit do të jetë një luftë e fortë sportive për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. E për ta bërë këtë ëndërr realitet, ata kanë kërkuar ndihmën e tifozëve, ndërsa thirrja e tyre është: “Bëjmë thirrje që të gjithë sportdashësit të bëhen një në mbështetje të ekipit”.
“Para dy-tre vitesh spektakli në tribuna ishte një fitore më vete, – kanë vijuar ata. – Sepse në çdo ndeshje që luante Butrinti kundërshtarëve u dridheshin këmbët kur futeshin në fushën e lojës. Tashmë që edhe Bashkia ka bërë të sajën në investime, ju ftojmë të gjithëve që çdo takim të Butrintit ta ndjekim të organizuar. Të gjithë për një e një për të gjithë”.