AlbanianSport.com 21.01.2015 16:05
ASNN – Në stërvitjen që ka zhvilluar dje Luftëtari, ashtu sikurse dhe më parë i pranishëm ka qenë edhe presidenti Flamur Bime, i cili është njëkohësisht dhe Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës. Këtë radhë ka pasur një tjetër mision, sepse është nënshkruar kontrata me Dejan Dostin. E kjo është bërë jo më në zyrë, por në fushën e stërvitjes. Njëkohësisht Bime ka siguruar të gjithë futbollistët e tjerë se do të kenë mbështetje financiare më të madhe nga sa u është premtuar.
Madje u ka bërë me dije që të paraqesin dhe librezat e sigurimeve shoqërore, pasi tashmë do të kenë shtesë në pagën e tyre që do të jetë dhe pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Si edhe herët e tjera, biseda midis tyre është përshkuar nga nota humori duke bashkëbiseduar me secilin dhe njëkohësisht ka treguar planet e Bashkisë për rritjen e nivelit dhe cilësisë së futbollit në qytetin që ai drejton.
Çka do të shoqërohet edhe me shtimin e terreneve sportive në funksion të ekipeve zinxhir, duke filluar që nga moshat më të vogla dhe deri te ngritja së shpejti e Akademisë së Futbollit. E ky do të jetë edhe investimi më i mirë që do të ketë Gjirokastra në lojën e futbollit.