AlbanianSport.com 21.01.2015 10:50
ASNN – Reali i Madridit, përfaqësuesja e futbollit të Gjermanisë dhe “Mercedes”-i në Formula 1, janë kandidatët kryesorë për të fituar çmimin “Laureus” për vitin 2014. Për fituesin do të votojnë kryeredaktorët, gazetarët dhe prezatuesit sportivë në të gjithë botën. Ceremonia për shpalljen e fituesit do të mbahet më 15 prill 2015 në Shangai të Kinës.
Reali i Madridit, fitues i Ligës së Kampioneve, Superkupës së Evropës dhe Botërorit të Klubeve, është një nga kandidatët kryesorëpër të fituar çmimin “Laureus” për vitin 2014. Skuadra spanjolle e udhëhequr nga trajneri italian Karlo Ançeloti ka arritur të fitojë trofeun e 10-të evropian. Së bashku me të kandidatë janë edhe përfaqësuesja e Gjermanisë, fituese e trofeut në Botërorin “Brazil 2014” dhe ekipi “Mercedes”, kampion bote në Formula 1 po për këtë vit.
Përveç këtyre tre pretendentëve, në listën e kandidatëve janë edhe ekipi amerikan i basketbollit, San Antonio Spërs, “kampion” në NBA, Mark Markez dhe Dani Pedroza me “Honda” fitues të Botërorit të Motorëve, ekipi zviceran i tenisit që fitoi Kupën “Dejvis” me Rozher Federer në krye, ekipi amerikan i basketbollit për meshkuj, që fitoi Botërorin në Spanjë, etj. Tre më të mirët do të përzgjidhen deri më 11 shkurt 2015. Për këtë do të votojnë të gjithë kryeredaktorët, reporterët dhe prezantuesit sportivë në të gjithë globin.
Ndërkohë që fituesi do të zgjidhet me votim të fshehtë nga 47 anëtarët e komisionit Sport Akademia “Laureus”. Ceremonia do të kryhet në 15 prill në Teatrin e Madh të Shangait. Çmimet “Laureus” janë të njohura si çmimet “Oskar” të sportit. Midis fituesve të 15 viteve të fundit janë yje të tillë si: Jusein Bolt, Sebastian Koe, Novak Xhokoviç, Rozher Federer, Aleks Ferguson, Ljuis Hemilton, Kelli Holms, Jao Ming, Rafael Nadal, Pele, Ronaldo, Mikael Shumaker, Serena Uilliams apo Zinedin Zidan.