AlbanianSport.com 20.01.2014 22:55
ASNN – Interneti dhe rrjetet sociale e kanë bërë botën gjithnjë e më të vogël dhe dëshmi e kësaj është ajo që po ndodh me portierin e Korabit të Peshkopisë, Mani Livani, i cili po shkëlqen në Kategorinë e Dytë
Në fakt, është vetë ish-portieri i shquar i Interit dhe përfaqësueses italiane, Valter Zenga, i cili është mahnitur nga 21- vjeçari shqiptar. Ajo që e ka shtangur Zengën është mënyra e veçantë e të stërviturit të Livanit.
Ky reagim i tillë ka ardhur teksa një video e portierit dibran në rrjetet sociale po bën shumë bujë. Ajo që bën përshtypje, është se i famshmi Zenga, i cili që prej 15 vitesh punon si trajner, e ka postuar në adresën e tij zyrtare në “Facebook” këtë video.
Përveç kësaj, ai ka bërë edhe një koment interesant. “Nuk e di se çfarë thotë portieri në intervistë, por një gjë është e sigurt: Fantastik! Antonelo Brambila, ky duhet të shihet edhe nga trajneri i portierëve të Monakos… Si thua???”, – shkruan Zenga.
Kësisoj, legjenda e portës italiane i kërkuar një mendim edhe trajnerit të portierëve, Brambilla, i cili është pjesë e klubit të Serisë B, Trapani. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të mëtejshme mbi këtë futbollist të Korabit.