AlbanianSport.com 20.01.2014 10:55
ASNN – Rikthehet në Gjirokastër Dejan Dosti, i cili në fillim të këtij viti, edhe pse u stërvit disa ditë me Luftëtarin, u largua për në Elbasan. Madje u largua së bashku me Enriko Papën e bashkë me ta edhe Artanat Tahirllari. Të tre këta futbollistë u larguan nga Gjirokastra për arsye të mos plotësimit të kushteve financiare nga drejtuesit bluzinj. Tahirllari ka disa ditë që iu bashkua Luftëtarit, ndërsa Dosti ditën e djeshme.
Ishte Flamur Bime, presidenti i Luftëtarit që në stërvitjen e djeshme të bluzinjve bëri dhe prezantimin e Tahirllarit dhe Dostit, kurse Papa është bërë pjesë e Butrintit në Kategorinë e Parë. Presidenti Bime nuk ka qëndruar shumë me futbollistët si në rastet e tjera, por vetëm ka komunikuar se të tjerë lojtarë do t’i bashkohen ekipit. Por kjo nuk do të thotë, sipas tij, që të mos përgatiten seriozisht të tjerët me mendimin se e kanë apo jo vendin e sigurt në ekip si titullarë.
Mbërritja e Dostit zgjidh më mirë mbrojtjen e Luftëtarit. Fakti që lojtarët e këtij reparti, Dosti, Rexha, Brahimi dhe Mersini, janë jo vetëm të përgatitur, por edhe shtatlartë, atëherë do të thotë që ata do të fuqizojnë më mirë mbrojtjen e Luftëtarit dhe Devollit do t’i duhet të forcojë më shumë sulmin. Sepse në këtë pikë skuadra ka çaluar në pjesën e parë të sezonit.
Me ardhjen e Dostit në rolin e mbrojtësit të djathtë, Frashëri, që dallohet për lojë sulmuese, sidomos në lojën me kokë, duket se do të dalë përpara. Dhe kjo është e vërtetuar me shënimin e katër golave nga tetë që shënoi gjithsej Luftëtari në pjesën e parë të sezonit. Devolli ka pranuar se është në kërkim “të futbollistëve të tjerë dhe deri në fillimin e pjesës së dytë.
Dhe kësisoj priten të tjera ndryshime në formacionin gjirokastrit. Devolli është shprehur disa herë, edhe atëherë kur Luftëtari i humbi të tre takimet e para të këtij kampionati, se pretendon ngjitjen e skuadrës në Kategorinë Superiore dhe ishte në kërkim të disa përforcimeve. Madje ka pranuar në heshtje se përforcimet e kryera në verë kanë qenë të dështuara.
Nëntë futbollistë u larguan nga kjo skuadër në përfundim të fazës së parë, por ata pak u aktivizuan gjatë zhvillimit të kampionatit. Ndaj dhe ikja e tyre nuk përbën ndonjë shqetësim të madh për bluzinjtë. Sipas trajnerit Bledar Devolli janë mundësitë që në përfundim të fazës së dytë Luftëtari t’i bashkohet grupi të skuadrave pretendente për në Superiore. Duke e lënë gjithçka më pas me idenë e zgjidhjes së problemit në fazën e tretë.