AlbanianSport.com 19.01.2015 14:35
ASNN – Trajneri i Mançester Junajtid, Luis Van Gal, i ka dërguar një mesazh të qartë futbollistit kosovar, Adnan Januzaj, duke ia bërë të qartë mesfushorit të ri se nuk ka për të një të ardhme të afërt te “Djajtë e kuq”. Kjo të paktën sa kohë nën drejtim të jetë trajneri holandez, i cili, sipas faqes sportive në Internet, “Goal.com”, i ka thënë Januzajt se ky i fundit nuk ka vend në skuadrën aktuale të Mançester Junajtid.
Van Gali nuk po arrin t’i gjejë një pozicion të përshtatshëm në formacionin e tij Adnanit, prandaj ky i fundit do të vazhdojë “të ngrohë” stolin e rezervave të skuadrës. Kësisoj, sipas të gjitha gjasave, i riu do të largohet nga Mançester Junajtid, madje që gjatë këtij muaji. Talenti 19-vjeçar mund t’i bëjë kështu valixhet gati dhe të vihet në kërkim të një ekipi të ri.
Kosovari që luan me fanellën e përfaqësueses belge duhet t’i shqyrtojë alternativat, pasi nuk përshtatet në modelin e lojës 3-5-2 të trajnerit holandez. Januzaj pati zhvilluar katër ndeshje si titullar në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit, por nga ajo kohë e ka humbur vendin e titullarit, duke luajtur vetëm 27 minuta. Interesim për të kanë shprehur Real Sociedadi dhe Aston Vila, por së fundmi flitet për një interesim të Portos.
Mançester Junajtid ka ndërmend ta huazojë lojtarin, të paktën deri në fund të sezonit aktual.