AlbanianSport.com 18.01.2015 21:35
ASNN – Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, është shprehur i kënaqur me përgatitjet e skuadrës së tij gjatë fazës stërvitore të zhvilluar në Spanjë. “Ishte një fazë vërtet e mirë përgatitore dhe jam vërtet shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës sime në të 6 ndeshjet e luajtura”, – ka deklaruar trajneri kryeqytetas i korçarëve.
“Në fillim normalisht që sapo kishim mbërritur në Spanjë dhe skuadra sapo filloi fazën dhe ngarkesën, – ka vijuar ai. – Si pasojë rezultatet nuk ishin ato që ndoshta presin të gjithë, por për mua, pavarësisht humbjeve në takimet e para, ekipi ka zhvilluar një lojë vërtet të mirë dhe i zbatoi të gjitha detyrat dhe qëllimi në fund të fundit u arrit.”
“Në tre ndeshjet e fundit testuese, skuadra erdhi në formë dhe padyshim që, përveç lojës shumë të mirë, ne arritëm edhe rezultate pozitive, – ka theksuar më tej trajneri i kampionëve në fuqi, duke analizuar ecurinë e skuadrës së tij në këtë fazë përgatitore. -Kjo më bën të shprehem se kam mbetur shumë i kënaqur.”
“Miqësoret tashmë u mbyllën dhe ne jemi gati për Kategorinë Superiore pas këtij momenti dhe do të kërkojmë të ruajmë thjesht ritmin në këto ditë që na kanë mbetur deri në startin e gjysmës së dytë të kampionatit të këtij sezoni”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.