AlbanianSport.com 18.01.2015 19:50
ASNN – Burreli ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore të periudhës përgatitore të dimrit, teksa dje në mesditë në “Liri Ballabani” ka pasur përballë kryesuesit e grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë, Korabin.
Falë përvojës që matjanët kanë prej vitesh në Kategorinë e Parë ia kanë arritur që të dalin triumfatorë përballë Korabit, një skuadër e cila vazhdon udhëtimin për të qenë në të njëjtin nivel sezonin e ardhshëm me Burrelin.
Matjanët kanë shënuar dy gola të shpejtë, me anë të Rapos në minutën e 26-të dhe Myftarajt në të 29-n. Në pjesën e dytë, ka thelluar Faruku në minutën e 64-t, kurse Melani ka shkurtuar distancën e golave me një 11-metërsh të saktë në të 89-tën.
Por dibranët kanë pasur ankesa, ndërsa sipas tyre janë anuluar dy gola, që mbajnë firmat e Merdinit dhe Toskës, për shkak të një pozicioni jashtë loje, sipas tyre, të paqenë.
Gjithsesi në fund Burreli ka fituar dhe ka dhënë shenja se në vazhdim do të jetë një skuadër rivalizuese jo vetëm për mbijetesën, por dhe për skuadrat e kreut, njëra prej të cilave sezonin e ardhshëm do të jetë në Superiore.
Burreli – Korabi 3-1
Shënues: Rapo 26’, Myftaraj 29’,
Faruku 64’ / Melani 89’