AlbanianSport.com 18.01.2015 16:45
ASNN – Teksa i afrohemi dhjetëditëshit të dytë të janarit, skuadrat po u japin dorën e fundit fazës përgatitore të dimrit, duke bërë edhe një bilanc të miqësoreve të zhvilluara deri më tani.
Një nga këto skuadra është edhe Partizani dhe, përgjatë kësaj minifaze përgatitore, ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro zhvilloi 5 ndeshje miqësore, duke i fituar të gjitha me rezultat të bindshëm.
Në 5 testet miqësore të zhvilluara deri më tani, 15-herë kampionët e vendit regjistruan edhe një golaverazh mjaft pozitiv, duke shënuar plot 27 gola, më tepër se 5 gola për ndeshje, dhe mos pësuar asnjë.
Natyrisht, gati një e treta e këtyre golave janë shënuar në ndeshjen ndaj Nën-19-vjeçarëve të klubit, por ajo që vlen të theksohet është se 4 fitoret e tjera janë arritur ndaj kundërshtarëve nga Kategoria e Parë, të tillë si Lushnja, Kastrioti, Mamurrasi apo Iliria e Fushë-Krujës.
Të hënën ekipi do të nisë përgatitjet për sfidën e 3-të të këtin sezoni ndaj Laçit, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë Superiore, e programuar të dielën, më datë 25 janar 2015, duke nisur nga ora 14:00.
Ja miqësoret e luajtura nga Partizani:
PARTIZANI – PARTIZANI NËN-19 10-0
PARTIZANI – KASTRIOTI 7-0
LUSHNJA – PARTIZANI 0-2
PARTIZANI – MAMURRASI 3-0
ILIRIA FUSHË-KRUJË – PARTIZANI 0-5