AlbanianSport.com 18.01.2015 14:25
Faqja në “Facebook” e Klubit Sportiv Butrinti ka sjellë pamje rrënqethëse të gjymtimit dhe shkatërrimit të kompleksit të notit në Sarandë “Esat Mamaca”. Sarandjotët jo vetëm që njihen si vend që kanë zhvilluar notin brez pas brezi dhe e zhvillojnë atë, por janë qytet që vite më parë, për shkak të asaj pishine, kanë zhvilluar dhe gara noti.
Dhe kjo pishinë e rikonstruktuar nuk duhet të ketë më shumë se sa një vit që ka marrë atë pamje të mrekullueshme, e cila i ka dhënë një tjetër hijeshi qytetit bregdetar, dhe që priste të bënte dhe gara noti. Mirëpo ndodh dhe kështu, ndërsa kompleksit që në hyrje i janë shkulur germat në ngjyrë bronzi.
Pa thënë gjëra të tjera që janë brenda saj. Ndaj dhe klubi sportiv Butrintit, nëpërmjet fotove dhe faqes së saj në “Facebook”, ka lëshuar alarmin: “Turp! Gjymtohet kompleksi i notit “Esat Mamaca”. Këto janë pamjet sot, atje ku disa “qytetarë” të nderuar “sarandjot” kanë abuzuar me investimin e bërë për sportin e notit.”
“Ju lutem gjykojeni vetë..”. E në këto kushte, kur infrastruktura sportive e disiplinave të tjera është rikonstruktuar me pikatore, fjala që të vjen është e tmerrshme dhe krim. Për të mos thënë që sportin nuk po e duan më.