AlbanianSport.com 17.01.2015 19:05
ASNN – Ashtu sikundër pritej, pas incidentit më të fundit në fushën e blertë, futbollisti i Kombëtares kuqezi, Ergys Kaçe, është dënuar dje me katër ndeshje nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Greke të Futbollit. Vendimi erdhi pas ndëshkimit të mesfushorit shqiptar të PAOK-ut të Selanikut me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Kallonit që u luajt më 14 janar.
Sipas asaj që raportojnë mediat greke, gjyqtari kishte shkruar në procesverbalin e ndeshjes se Kaçe e kishte ofenduar në dy momente të ndryshme. Dje mesfushori, përveç dënimit me katër javë, u ndëshkua edhe me një gjobë prej 200 eurosh. Për shkak të këtij dënimi, Kaçe do të humbasë ndeshjet e skuadrës së tij ndaj Platanias, Panetolikosit dhe OFI-t në kampionat.
Dënimi i tij vlen dhe për takimin ndaj Niki Volos (kjo e fundit është shkrirë si skuadër dhe PAOK-u do të fitojë në tavolinë). Sidodoqftë, trajneri Angjelo Anastasiadhis mund të ngushëllohet me faktin se mund mbështetet te shërbimet e Kaçes në derbin që do të zhvillojë ndaj gjigantes, Olimpiakosit, më 8 shkurt 2015. Dënimi i shqiptarit ka tronditur jo pak klubin selanikas, pasi Kaçe është një titullar i padiskutueshëm.