AlbanianSport.com 17.01.2015 17:55
ASNN – Skuadra e Partizanit ka mbyllur përgatitjet me takimin e fundit miqësor, të luajtur sot në Fushë-Krujë përballë vendasve të Ilirisë, ndeshje e cila përfundoj me rezultatin 5-0 në favor të të kuqve kryeqytetas.
Në formacionin e tij titullar përballë fushë-krujasve, trajner i Partizanit, Shpëtim Duro ka aktivizuar Hoxhën, Rrahmanin, Vrapin, Cuculin, Fejzullahun, Trashin, Shabanin, Dajën, Bylykbashin, Mazrekajn dhe Raçiçin.
Të kuqtë kanë patur nevojë për vetëm 15 minuta për të gjetur golin e epërsisë, që ka patur për autor Fejzullahun. Ndërsa 5 minuta para fundit të pjesës së parë, Raçiç shndërron në gol një 11-metërsh të akorduar në favor të Partizanit.
Me këtë epërsi dygolëshe të kryeqytetasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat, ku skuadra e kuqe zbret në fushë me të njëjtin formacion, nisin praktikisht me gol, pasi në të 47-tën, Fejzullahu firmos dygolëshin e tij personal në këtë takim.
Vetëm 5 minuta më pas, Asion Daja e çon në 4 numrin e golave për Partizanin dhe tashmë trajneri Duro vendos që është koha për eksperimente. Kështu, dalin nga fusha Rrahmani, Cuculi, Raçiç, Bylykbashi dhe Mazrekaj.
Dhe, në vend të tyre, në fushë do të aktivizohen Osmanaj, Vatnikaj, G. Krasniqi, Fazliu dhe Bardhi. 15 minuta para përfundimit, është njëri nga këta lojtarë, e pikërisht Jurgen Vatnikaj, ai që realizon golin e 5-të dhe vulos fitoren e Partizanit në 5-0.
Iliria Fushë-Krujë – Partizani 0-5
Shënues: Fejzullahu 15’, 47’,
Raçiç 40’(11-m.), Daja 52’, Vatnikaj 75’
Formacioni titullar i Partizanit: A. Hoxha, Rrahmani, Vrapi, Cuculi, Fejzullahu, Trashi, Shabani, Daja, Bylykbashi, Mazrekaj, Raçiç. Trajner: Shpëtim Duro. U aktivizuan: Xhika, Gjonikaj, Fazliu, Osmanaj , G. Krasniqi, Muskaj, Vatnikaj, Bardhi.