AlbanianSport.com 17.01.2015 14:25
Natyrisht që ai shkëlqeu sezonin e shkuar, kur skuadra ishte në krizë dhe kur mbeti edhe jashtë luftës për titull, edhe jashtë Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës. Por ardhja e një trajneri të ri dhe një merkato e larmishme ka bërë që talenti shqiptar i përfaqësueses belge të mbetet në hije.
Situata të cilën po përjeton në “Old Trafford”, nën drejtimin e Luis Van Galit, është bërë e padurueshme dhe Adnan Januzaj po shqyrton të gjitha skenaret e mundshme në këtë merkato janari. Nga muaji nëntor e në vazhdim ai ka koleksionuar vetëm 27 minuta, ndonëse dëmtimet në radhët e “Djajve të kuq” kanë qenë të shumtë dhe hapësira për kosovarin e natyralizuar belg mund të gjendej.
Fakti që ai lihet jashtë fushave ka shtyrë Real Sociedadin, Juventusin, por edhe Evertonin e Aston Vilën që të ofrojnë shifra të majme për të, por Van Gali vazhdon të këmbëngulë se lojtari i duhet, edhe pse nuk luan. Te Mançester Junajtid nuk mërziten as nga fakti se ai fiton 60 mijë sterlina në javë, por ndërkohë, vetë Januzaj kërkon të largohet, madje duke sakrifikuar edhe pagën e tij.
U fol se David Mojes e kërkon te Real Sociedadi, por asgjë nuk u materializua. Prurjet e bollshme të verës në klubin anglez e kanë bërë të riun të ndjehet i mënjanuar, ndaj edhe kërkon hapësirë për të luajtur, qoftë kjo në një klub tjetër. Por për një trajner tejet pragmatist siç është veterani holandez, Van Gal, gjithçka është në shërbim të interesit të përgjithshëm të klubit. Ndaj Januzaj mbetet “vend-numëro”.