Gjergj Vyshka 17.01.2015 13:50
Federata Shqiptare e Basketbollit do ta hapë vitin 2015 me finalet e Superkupës së Shqipërisë, që sipas rregullores diskutohen mes kampiones në fuqi dhe fitueses së Kupës së Shqipërisë për vitin në vazhdim.
Dhe ndryshe nga viti i kaluar, kur për femra është luajtur mes polemikave në Vlorë dhe për meshkuj në Kamëz, këtë herë Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që t’i luajë të dy finalet në të njëjtin vend.
Dhe si fusha më asnjanëse është zgjedhur salla kryesore e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, e cila të premten, në orën 16:00 dhe 18:00, do të presë finalen e Superkupës për femra, Flamurtari-Apolonia, dhe atë për meshkuj Vllaznia-Kamza Basket.
Kjo siç duket edhe për arsye se në këto duele mungon kryeqyteti me skuadrat e tij. Dhe pas finaleve të Superkupës, fundi i janarit do të shënojë fillimin e fazës së dytë si për meshkuj, ashtu dhe për femra.
Ndërkohë që për të rinj, të reja, para të rinj dhe para të reja kampionati nis këtë fundjavë.