Gjergj Vyshka 17.01.2015 11:30
Kryesuesit e grupit të Jugut të Kategorisë së Dytë kanë bërë rezistencë të fortë në fushë, duke marrënjë barazim të merituar 1-1. Trajneri i Kamzës, Ylber Zani, ka mbetur i kënaqur me titullarët, por jo me ato që vijnë nga stoli i rezervave. “Unë jam i kënaqur nga skuadra, sidomos me nivelin e lojës paraqitur nga titullarët në pjesën e parë të ndeshjes”, – ka thënë ai.
“Kemi krijuar raste për shënim dhe mund të kishim shënuar dhe më shumë se një gol, – ka vijuar më tej kreu i stolit të kamzalinjve. – Ajo që krijon problem janë lojtarët të cilët vijnë nga stoli, të cilët edhe sot nuk bënë diferencën me kundërshtarin. Kemi ende shumë për të bërë për një Kamëz të fortë e cilësor, por në përgjithësi jam i kënaqur me titullarët.”
Ndërsa homologu i tij, trajneri i Gramshit, Luan Metani, deklaroi se mundësitë e skuadrës së tij për t’u ngjitur një nivel më lart në kampionatin shqiptar janë bindëse. “Gramshi është ndërtuar e tillë për të qenë një skuadër e fortë dhe konkurruese, – ka theksuar ai. – Dhe këtë e ka vërtetuar dhe sot në fushën e lojës, ndërsa si titullarët, ashtu dhe lojtarët që vijnë nga stoli i rezervave janë njësoj.”
“Sigurisht që ambiciet tona janë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë dhe në fakt i kemi të tilla mundësi, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit gramshiot. – Nëse do të isha në një kategori me Kamzën sot? Ndoshta më poshtë se kamzalinjtë në renditje, por që gjithsesi kemi një skuadër që luan me dëshirë futboll.”