AlbanianSport.com 17.01.2015 10:55
ASNN – Vetëm dy ditë pas një fitoreje të lodhshme, por mjaft të vyer, në turin e 16-shes së veprimtarisë së dytë të klubeve të volejbollit evropian të femrave, që njihet si “Kupa e Sfidës” (Challenge Cup) dhe që është ekuivalentja e Ligës së Evropës në futboll, sportistja shqiptare Arjola Prenga dhe skuadra e saj norvegjeze, Stod Volej, ka sot një tjetër sfidë historike.
Në takimin që nis të luhet në ora 13:00 në sallën sportive “Domus Atletika” të kryeqytetit norvegjez, skuadra e volejbollistes shqiptare shkon si fituese në fuqi e Kupës së Norvegjisë, trofe të cilin e fitoi vjet pikërisht në këtë mjedis sportiv dhe pikërisht ndaj së njëjtës kundërshtare. Në fakt, triumfi i vjetshëm ishte një hakmarrje për dështimin e para dy viteve në finalen e Kupës kundër Oslo Volejit.
Ajo që vlen për t’u theksuar është se ajo ishte humbja e fundit që Stod Voleji pësoi përballë rivales nga kryeqyteti, pasi verioret, në radhët e të cilave militon edhe 29-vjeçarja shqiptare, i kanë fituar të gjitha takimet e tjera, përfshi edhe atë të fundit para dy vjetësh, kur Oslo Voleji u shpall për herë të fundit kampione e Norvegjisë në volejboll për femra.
Skuadra e Arjolës vijoi të fitonte atë vit Ligën Nordike, duke e mbrojtur këtë trofe rajonal edhe vjet, të fitonte të 3 sfidat në kampionat ndaj rivales kryeqytetase, duke u shpallur kampione e Norvegjisë, si dhe duke fituar edhe Kupën e Norvegjisë. Po kështu, edhe këtë sezon të Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra, Stod Voleji e ka fituar takimin e parë, madje bindshëm, me shifrat e përgjithshme 3-0.
Madje edhe setet e fituara përkatësisht në shifrat 25-17, 25-18 dhe 25-15, nga skuadra e shqiptares, e cila realizoi 10 pikë, flasin për epërsinë e kampiones në fuqi të Norvegjisë. Ekipi i 29-vjeçares Prenga vjen pas një paraqitjeje mbresëlënëse të bërë në ndeshjen e parë të turit të 16-shes së “Challenge Cup”, ku fitoi në shtëpi me rezultatin 3-1, duke hedhur një hap historik drejt çerekfinaleve.