AlbanianSport.com 16.01.2015 22:00
ASNN – Ekipi i 29-vjeçares shqiptare, Arjola Prenga, Stod Voleji, ka korrur të mërkurën një fitore historike, pas një paraqitjeje mbresëlënëse të bërë në ndeshjen e parë të turit të 16-shes së veprimtarisë së dytë të klubeve të volejbollit evropian të femrave, që njihet si “Kupa e Sfidës” (Challenge Cup) dhe që është ekuivalentja e Ligës së Evropës në futboll, ku fitoi në shtëpi me rezultatin 3-1, duke hedhur një hap historik drejt çerekfinaleve.
Natyrisht, volejbollistja shqiptare ishte më e dalluara e skuadrës së saj në këtë triumf, duke dëshmuar një shpirt të jashtëzakonshëm gare, e cila është ilustruar më së miri në videoklipin e mëposhtëm, kur Prenga rikuperon një top thuajse të pamundur, duke rrezikuar të marrë përpara trajnerin e saj por edhe të pësonte ndonjë dëmtim. Ajo jo vetëm që e ka kthyer heroikisht topin në lojën, por ka vijuar të kthehet në parket për t’u bërë pjesë e bllokut dhe e pikës së marrë nga skuadra e saj pas një aksioni maratonë.
Jo më kot, ajo është shpallur edhe “Lojtarja Më e Vlefshme e Ndeshjes” (MVP – Most Valuable Player), duke realizuar 18 nga 99 pikët e skuadrës së saj, një më tepër sesa shoqja e saj e skuadrës, braziliania Benicio Peishoto. Madje me këtë të fundit, Prenga ndan edhe statistikën e zhytjeve të suksesshme, 15, ndërsa ka qenë e dyta edhe në përqindjen e pritjeve të sakta të topit, me 50 %, po aq sa ka edhe shoqja e saj e skuadrës, Kabrera, dhe vetëm 9 % më pak sesa shoqja tjetër e skuadrës, Elinë Bye.
Arjola nuk ka munguar të jetë as në 5-shen e parë të dy statistikave të tjera, atyre të shërbimit, me një të suksesshëm dhe të bllokut, me dy të suksesshme. Kampionia dhe fituesja në fuqi e Kupës së Norvegjisë mund ta kishte mbyllur në më pak se 70 minuta dhe në vetëm 3 sete këtë sfidë, por e ka paguar shpërqendrimin në dy raste, duke u falur azereve një set. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave, më 22 janar, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, duke nisur nga ora 18:00 me orën lokale.