AlbanianSport.com 16.01.2015 17:55
ASNN – Pogradeci ka ndjerë keqardhje për dëmtimin e Vangjo Zguros, lojtari i cili kishte nisur provën tek Butrinti, por që për shkak të thyerjes së këmbës në stërvitje e ka lënë gjithçka në mes me sarandjotët. Ndërkohë që tashmë është shënuar dhe largimi i dytë zyrtar nga liqenorët, që është Kreshnik Kllogjeri, i cili ka nisur stërvitjen e tij me Sopotin.
Dhe liqenorët e kanë falënderuar për kontributin e tij Kllogjerin, teksa nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut KF Pogradeci kanë deklaruar: “Ne e falënderojmë për kontributin që ka dhënë në skuadrën tonë, si dhe i urojmë suksese në vazhdim”.
Ndërkohë Ildi Shyti, mesfushori i Pogradecit, është treguar optimist për ecurinë e skuadrës liqenore duke treguar se kjo skuadër i ka të gjitha mundësitë për të qenë sezonin e ardhshëm në Superiore.
“Me potencialin që kemi, Pogradeci i ka të gjitha mundësitë të renditet në vendet e para të tabelës së renditjes“, ka përfunduar Shyti, ndërsa Pogradeci ende nuk ka nisur nga ndeshjet miqësore të prag kampionatit.