AlbanianSport.com 16.01.2015 09:10
ASNN – Sipas asaj që shkruajnë mediat lokale angleze, sulmuesi i Kombëtares shqiptare (i cili duhet thënë se ka kohë që nuk grumbullohet me kuqezinjtë nga trajneri de Biazi, por mbetet gjithsesi në orbitën e ekipit përfaqësues), është kërkuar nga Lidsi, president i së cilës është Masimo Çelino. Ky i fundit ka drejtuar për gati dy dekada Kaljarin dhe e njeh mirë edhe Çanin, kësisoj ai ka udhëzuar zyrtarët e Lidsit që të marrin të gjitha informacionet e nevojshme mbi mundësinë e afrimit të Çanit.”
Sipas mediave, drejtori sportiv i kësaj skuadre, Nikola Salerno, është duke punuar intensivisht që ta transferojë sulmuesin shqiptar në “Championship”-in anglez (kategoria e dytë e futbollit anglez, që vjen menjëherë pas Premier Ligës dhe është e barabartë me Serinë B në Itali). Por nuk është vetëm Lidsi që kërkon Çanin. Dje mediat italiane kanë publikuar një deklaratë të menaxherit të sulmuesit, Adrea D’Amiko, sipas të cilit ai ka nisur zyrtarisht bisedimet për rikthimin e shqiptarit në Pulia.
Duhet theksuar se Çani luajti pjesën e dytë të sezonit të vjetshëm te Bari, ku shënoi 5 gola dhe fitoi simpatinë e tifozëve, të cilët vijojnë ta përkrahin edhe pse në verë ai u rikthye te Katania, ekip ky që ka në pronësi kartonin e tij. Katania zbriti vjet nga Seria A në atë B dhe drejtuesit u munduan që të mbajnë pjesën më të madhe të lojtarëve për t’u ringjitur mes më të mirëve. Por pas 21 javësh kampionat, gjendet në vend të 19- të dhe në skuadër kanë filluar spastrimet.