Gjergj Vyshka 15.01.2015 15:00
Sekretari i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, ka konfirmuar se ka ardhur përgjigja e analizës B të Hysen Pulakut,ndërsa përqindja e substancës është disi më e lehtë se sa ka qenë më parë. “Ajo që duhet të themi ne është fakti se ne do të mblidhemi vetëm pasi të ketë përfunduar paneli i dëgjimit, që është shkalla e tretë e gjykimit të peshëngritësve”, – ka deklaruar ai.
“Sot zhvillohet dhe analiza B e Godellit dhe të premten besojmë se do të vijë dhe analiza e tij, – ka vijuar ish-shtangisti i mirënjohur. – Praktikisht koha e daljes në panelin e dëgjimit të këtyre peshëngritësve duket se do të jetë në prill në Lima të Perusë, atje ku do të zhvillohet Kampionati Botërori i të rinjve. Vetëm pasi këtij paneli do të vijë vendimi përfundimtar dhe do të reagojmë dhe ne. Ideja që përqindja e substancës po vjen në ulje do të thotë që këtu ka diçka që duhet t’i lehtësojë peshëngritësit tanë.”
“Dhe ne kemi shpresë në panelin e dëgjimit”, – ka shtuar Berisha. Në kushtet kur paneli i dëgjimit bëhet në prill, atëherë duket se tanët nuk do ta kenë shansin për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të të rriturve që bëhet në Tbilisi. Kuptohet pa ardhur vendimi përfundimtar. Deri atëherë, teksa edhe analiza B e Pulakut doli pozitive, duket se peshëngritja është pezull.