Gjergj Vyshka 15.01.2015 14:25
“Unë mendoj që si Xhafaj, ashtu dhe Allmuça janë vlera të shtuara për skuadrën tonë, – ka deklaruar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, pas barazimit pa gola që skuadra e tij arriti në miqësoren e djeshme me Kamzën. – Dhe në pjesën e parë që ata kanë luajtur i kanë dhënë ritëm lojës së skuadrës, ndërsa dhe duhet të kishim shënuar.”
“Mos harroni që është java e dytë e periudhës përgatitore dhe lojtarët janë të ngarkuar ende nga muskujt, – ka vijuar ai. – Kështu që dhe nuk mund të pritej më shumë. Shpresojmë që deri në përfundim të periudhës përgatitore ta kemi gjetur konsolidimin si skuadër.”
“Unë nuk ia kam frikën problemit të vështirësisë që paraqet Kategoria e Parë, si për Xhafajn, ashtu dhe Allmuçën, të cilët janë të dy lojtarë me përvojë, – ka theksuar kreu i pankinës së bluve kryeqytetas. – Pastaj në grupin e Jugut janë një shumicë fushash në të cilat luhet futboll cilësor dhe janë pak ato që mund të konsiderohen të vështira.”
“Të gjithë lojtarët e aktivizuar janë pjesë e skuadrës, qoftë dhe Shazivari, ndërsa Ferraj ka qenë i pamundur nga gjendja shëndetësore. Mos harroni që Capa e Muça vijnë nga dëmtimet, kështu që ka probleme që duhen zgjidhur dhe që shpejt Dinamo, me Xhafajn dhe Allmuçën, do të jenë atje ku duhet”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.