AlbanianSport.com 14.01.2015 21:10
ASNN – Janë dashur plot 107 minuta dhe një betejë nervash që skuadra norvegjeze, Stod Voleji, ku militon volejbollistja shqiptare Arjola Prenga, të mposhtë skuadrën azerbajxhanase, Azerreil Bakunë, me rezultatin 3-1 dhe të hedhë një hap drejt një vendi historik në 8-shen e më të mirave të veprimtarisë së dytë të volejbollit evropian të femrave, që njihet si “Çellenxh Kap” (Challenge Cup).
Kampionia dhe fituesja në fuqi e Kupës së Norvegjisë mund ta kishte mbyllur në më pak se 70 minuta dhe në vetëm 3 sete këtë sfidë, por e ka paguar shpërqendrimin në dy raste, duke u falur azereve një set. E frymëzuar nga një lojë e jashtëzakonshme e 28-vjeçares shqiptare, skuadra norvegjeze i ka dominuar dy setet e para, duke kryesuar gjatë gjithë kohës dhe duke i fituar të dy këto sete me shifra identike, 25-18.
Fitimi i këtyre seteve brenda përkatësisht 26 dhe 24 minutash krijoi idenë se skuadra e Prengës do ta mbyllte gjithçka në 3 sete, për më tepër që në setin e tretë kryesoi deri në pikën e 17-të. Por një shpërqendrim në këtë fazë të lojës dhe disa gabime elementare të njëpasnjëshme të norvegjezeve, u dha mundësi azereve të kryesonin për herë të parë në këtë ndeshje, në shifrat 22-19.
Stod Voleji barazoi në 22-22, por shpërqendrimi sërish u kushtoi norvegjezeve dhe Azerreil Bakuja e fiton setin e tretë pas 29 minutash lojë, me shifrat 25-22. Edhe seti i katërt ishte një kopje e të tretit, me norvegjezet në kryesim që nga fillimi, por me azeret që reagojnë në fazën finale. Ky set, që zgjati 28 minuta, ka shkuar deri në pikën e 27-të, por këtë radhë norvegjezet ruajnë qetësinë dhe fitojnë 27-25.
Kështu, skuadra e Arjola Prengës e fiton ndeshjen e parë me rezultatin 3-1. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave, më 22 janar, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, duke nisur nga ora 18:00 me orën lokale. Midis këtyre sfidave, Arjola Prenga dhe skuadra e saj do të diskutojnë finalen e Kupës së Norvegjisë me Oslo Volejit. Rivalja kryeqytetase, e cila e fitoi këtë trofe para dy vjetësh, kërkon të hakmerret për humbjen e pësuar në finalen e vjetshme.