AlbanianSport.com 13.01.2015 17:05
ASNN – Naftëtari, ashtu sikurse të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë në grupin e Jugut, ka nisur javën e dytë të periudhës përgatitore. Gjendja e vështirë në të cilën po kalon skuadra kuçovare, kjo jo vetëm për shkak të vendit të fundit në renditje, teksa pas 12 javësh kampionat ka vetëm 11 pikë, por dhe borxheve të tjera financiare, duket se ka ndikuar dhe në konsolidimin e skuadrës.
Ajo që duhet bërë e ditur është se Naftëtari ka një borxh prej 58 milion lekësh të vjetra në OSHEE, ndërsa ka pesë vjet që energjia elektrike nuk paguhet në Stadiumin “Bashkim Sulejmani”. Dhe ky borxh mund të ndikojë në rrudhjen e financave për skuadrën kuçovare, e cila dje e ka nisur stërvitjen pa trajnerin Petraq Bifsha.
Pa dashur të paragjykohet, sepse mund të ketë dhe arsye personale në këtë mungesë të tij në ditën e parë të stërvitjes në periudhën përgatitore dimërore, por për shkak të borxheve financiare me energjinë elektrike mund të mendohet dhe një largim i trajnerit vlonjat të kuçovarëve.
Kuptohet që mund të merret një trajner vendës me më pas shpenzime për një ekip, i cili mbahet me buxhet nga Bashkia. Sakaq në skuadër dje ka dalë në stërvitje dhe Algi Lapardhaja i ardhur nga Tomori. Por mungesa e trajnerit Petraq Bifsha në stërvitjen e kuçovarëve duket se i ka shqetësuar të gjithë në ambientin e Naftëtarit.