AlbanianSport.com 13.01.2015 15:45
ASNN – Tirana në basketboll për meshkuj, e stërvitur dhe drejtuar nga Bujar Shehu, tashmë u është rikthyer miqësoreve me skuadrat kosovare. Rreth dy vjet më parë, bardheblutë, që asokohe drejtoheshin nga Roland Avrami, patën zhvilluar një miqësore me Trepçen e Mitrovicës. Një ndeshje të cilën mitrovicasit e patën me një pikë diferencë, 93-92.
Përtej kësaj, kundërshtari i radhës për Tiranën do të jetë skuadra nga Theranda, “Golden Eagle” Ylli. Dhe ndeshja do të luhet të enjten në ora 18:30 në sallën sportive “Farie Hoti” në Tiranë. Kjo ndeshje pritet ta ndihmojë skuadrën e trajnerit Agron Berisha që të konsolidojë gjithçka për pjesën e mbetur të sezonit. Por e njëjta gjë është dhe për Tiranën, e cila është pretendente kryesore për të fituar titullin “kampion” në basketboll për meshkuj.
Ndërkohë që Golden Eagles Ylli ka parashikuar dhe një miqësore të madhe në Pallatin e Sportit “13 qershori” të Therandës. “Golden Eagles” Ylli është kandidat potencial për një vend që skuadrat i dërgon në “play-off”-in për titull “kampion”, pasi sezoni vjeshtor e ka mbyllur në vendin e 5-të me 19 pikë, 2 më pak se Trepça, e cila mban vendin e tretë në ETC Super Ligë.
Të tilla miqësore, siç ka parashikuar Tirana, i shërbejnë rritjes së nivelit të basketbollit shqiptar, aq më tepër që nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, është paralajmëruar për pjesëmarrjen e dy skuadrave në Ligën Ballkanike për sezonin 2015-2016. Sidoqoftë, Tirana është gati për miqësoren e së enjtes me “Golden Eagles” Ylli.