Gjergj Vyshka 13.01.2015 10:25
Erzeni, ashtu sikurse ishte thënë dhe një javë më parë, dje ka nisur zyrtarisht periudhën përgatitore të dimrit. Skuadra pasi ka zyrtarizuar katër lëvizjet e para në tregun e futbollistëve në dimër, që ishin Taullau nga Partizani, Tema nga Burreli, Zakova nga Luzi 2008 dhe Hodo nga Sukthi, është në pritje të ardhjeve të reja. Ardhje të cilat drejtuesit e skuadrës shijakase do të mund t’i zyrtarizojnë në ditët në vazhdim.
Ndërkohë që ende nuk është zyrtarizuar dhe portieri Sulejman Hoxha duket se tashmë është e mbaruar largimi i Florian Peqinit. Qendërmbrojtësi prej më shumë se sa një jave është duke vazhduar provën e tij tek Sopoti i Librazhdit dhe ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare të trajnerit Gentian Stojku nëse do të jetë apo jo pjesë e skuadrës së tij.
Nuk duhet harruar që kohë më parë po për të njëjtin lojtar është folur dhe për një largim drejt Besëlidhjes, po në Kategorinë e Parë. Përtej kësaj, tek shijakasit stërvitja ka nisur me intensitet dhe me qëllimin final daljen në Kategorinë e Parë. Shanset janë, sepse Erzeni është në vendin e dytë në grupin e Veriut të Kategorisë së Dytë, vetëm 4 pikë larg Korabit kryesues.
Nëse nuk do të jetë kryesues, që do të thotë dalje direkte në Kategorinë e Parë, Erzeni do të ketë dhe një shans, sepse mbi bazën e formulës së shpallur nga FSHF, vendi i dytë i grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë luan me të 9-tën e grupit të Jugut të Kategorisë së Parë. Gjithsesi përtej këtyre parashikimeve, Erzeni ka nisur stërvitjen dhe ka gati dhe përforcimet e reja në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër.