AlbanianSport.com 26.09.2014 07:15
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan sonte dhe nesër ndeshjet e javës së saj të 6-të. Sonte, duke nisur nga ora 17:00, Apolonia do të presë në Fier Kukësin, ndërsa duke nisur nga ora 20:00, do të luhet derbi i madh i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit.
Por ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim herët e tjera, këtë radhë derbi do të vijë i shurdhët, pasi Tirana është ndëshkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me 15 ndeshje pa tifozë. Kësisoj, derbi i sotëm i kryeqytetit midis bardhebluve dhe të kuqve do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të boshatisur, çka padyshim do t’ia zbehë bukurinë kësaj përballjeje rivalesh historike.
Tri takimet e tjera të javës së 6-të të Kategorisë Superiore luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 16:00, Elbasani përballet në Shkodër me Vllazninë. Ndërkaq, duke nisur nga ora 19:00, Flamurtari pret në Vlorë Laçin, ndërsa Skënderbeu është mysafir në Durrës për t’u ndeshur me Teutën.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Flamurtari, Skënderbeu, Tirana dhe Partizani, me nga 10 pikë secila, të ndjekura nga Vllaznia me 8 dhe Kukësi me 7 pikë.