Nga Altin B. Kodra (ASNN) 12.01.2015 16:10
ASNN – Bota e futbollit do të njohë sot në mbrëmje fituesin e “Topit të Artë” për vitin 2014. Sipas mediave ndërkombëtare sërish i favorizuar është Kristiano Ronaldo. Në vendin e dytë Nojer dhe në të tretin Mesi. Ceremonia zhvillohet në Zyrih, duke nisur nga ora 18:30. Manuel Nojer mund të besojë deri në fund, por të gjitha të dhënat paraprake shpallin Kristiano Ronaldon si fitues të Topit të Artë.
Gjithçka do të zyrtarizohet në ceremoninë që do të zhvillohet në Zyrih, duke nisur nga ora 17:00 me tapetin e kuq. Yjet e futbollit do të jenë të gjithë të pranishëm në qytetin zviceran, por edhe një herë triumfi duket se do të jetë I sulmuesit portugez. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se Kristiano Ronaldo është votuar sërish për të mbrojtur trofeun më të rëndësishëm individual të futbollit botëror.
Gjithsesi, derisa gjithçka të jetë zyrtare, Manuel Nojer mund të shpresojë. Kampion i botës me Gjermaninë kërkon të hyjë në histori si portieri i dytë që fiton “Topin e Artë”, pas rusit Lev Jashin në vitin e largët 1963. Ndryshe nga vitet e fundit, Lionel Mesi është më larg se kurrë këtij trofeu. Argjentinasi, katër herë fitues i “Topit të Artë” këtë herë duhet të kënaqet me vendin e tretë, të paktën sipas parashikimeve.
Megjithatë, dilema e madhe, sikundër edhe vjet, është nëse do të jenë kriteret sportive apo kriteret e marketingut ato që do ta vendosin fituesin e “Topit të Artë 2014”. Do të peshojë më shumë një Ligë Kampionesh e fituar me shpirt “nëpër dhëmbë”, apo një kurorë e kampionit të botës? Ajo që është e sigurt është se, nëse është Kristiano Ronaldo, polemikat veçse do të shtohen edhe pas shpalljes së fituesit…