Gjergj Vyshka 12.01.2015 15:25
Blutë nisin javën e dytë të periudhës përgatitore, ndeshje me Kategorinë Superiore. Administratori Saliaj: “Jemi në kërkim të një kundërshtari për ditën e mërkurë”. Dinamo ka vendosur përsëri të luajë një miqësore luksi me Tiranën e Kategorisë Superiore. Ka luajtur vjet në 11 janar, në një miqësore në “Skënder Halili”, e cila ka përfunduar 0-0, por të njëjtën gjë e ka bërë dhe gjatë periudhës përgatitore të verës, ndërsa u mund në “Selman Stërmasi”, 0-4.
Dhe miqësoren me bardheblutë, e cila do të jetë ndeshja e fundit përgatitore për tiranasit e Gugash Maganit, teksa nis Kupa e Shqipërisë më 21 janar dhe më pas kampionati më 24 janar, e ka konfirmuar administratori i bluve, Ismet Saliaj. Sipas tij ndeshja do të luhet të shtunën, ndërsa ajo që ka mbetur pa u caktuar është fusha e lojës. “Mund të luajmë në fushën sportive të resortit “Tropikal” në Durrës, atje ku Tirana po bën periudhën përgatitore, por dhe në “Skënder Halili”, gjithnjë nëse bardheblutë vendosin të kthehen në kryeqytet”, – ka sqaruar ai.
“Janë procedura që do t’i zgjidhim me drejtuesit e Tiranës, por ajo që është e rëndësishme është fakti se këtë miqësore e kemi të sigurt, – ka vijuar administratori blu. – Tashmë jemi në kërkim të një miqësoreje për të mërkurën, ndërsa ashtu siç kemi thënë edhe ditë më parë do të nisim bisedat të hënën për të gjetur kundërshtarin. Mund të jetë Teuta, Partizanit, por ndoshta dhe Tërbuni. Megjithatë jemi në pritje të gjetjes së një kundërshtari.”