AlbanianSport.com 11.01.2015 19:15
Ada e Velipojës duket se është skuadra e fundit e Kategorisë së Parë, e cila ende nuk ka nisur periudhën e saj përgatitore dimërore. Dhe për rrjedhojë, drejtuesit velipojak, nëpërmjet faqes në “Facebook”, KF Ada faqja zyrtare, kanë lajmëruar se përgatitjet do të nisin të hënën, teksa skuadra do të jetë e grumbulluar në ora 15:00 në kompleksin “Hasaj” në Shkodër.
Velipojakët, pa bërë ende të ditur se cilat do të jenë përforcimet në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, i kanë uruar suksese skuadrës, ndërsa shpresojnë dhe besojnë se të gjithë bashkë do të bëjnë të mundur mbijetesën e Adës në Kategorinë e Parë në grupin e Veriut.
Pas 12 javësh kampionat, Ada e Velipojës ndodhet në vendin e fundit të Veriut, teksa ka grumbulluar 8 pikë, që kanë ardhur nga dy fitore dhe dy barazime, e fundit ndaj Burrelit 3-3 në Pukë. Kështu që skuadra velipojake ka punë të madhe për të luftuar e mbijetuar në Kategorinë e Parë.
Formula është e atillë që skuadra e renditur në vendin e 10-të në Kategorinë e Parë, bie direkt në Kategorinë e Dytë, kurse e 9-ta bën ndeshje shtesë me të dytën e grupit të Jugut të Kategorisë së Dytë. Kështu që i vetmi shpëtim për Adën e Velipojës është renditja në vendin e 8-të.