Gjergj Vyshka 11.01.2015 15:55
Dhuna në futbollin shqiptar nuk duket se paska ndërmend të ndalet ndonjëherë. Dhe kjo është shtrirë dhe në kategoritë e fëmijëve. Kaosi dhe rrëmuja ka përfshirë dje fushën me bar artificial të Kompleksit Dinamo, atje ku një ndeshje mes ekipit të Akademisë së Futbollit “Dinamo” dhe Kombinatit për moshat deri në 15 vjeç është kthyer në sherr masiv mes lojtarëve.
Ka mjaftuar një ndërhyrje e një futbollistit të Dinamos, shoqëruar më pas me vendosje të duarve në fytyrë të futbollistit të Kombinatit ndaj kundërshtarit, që zënka të përfshijë lojtarët e të dy palëve. Ndërhyrja e trajnerëve, aq më tepër që duket se janë dy skuadra që edhe ndeshjet e kontrollit i bëjnë bashkë, ka shuar zënkën.
Kurse ndërhyrja e mëpasme e forcave të rendit ka vënë qetësinë. Por ajo që nuk është normale, ndërsa gjithnjë venë si shkaktar të rrëmujës gjyqtarët, është zënka tek fëmijët, ndërsa nuk është hera e parë që ndodhin këto gjëra në Ligën Amatore.