AlbanianSport.com 11.01.2015 13:15
Nga Spanja e largët, atje ku Skënderbeu po bën periudhën përgatitore, korçarët sinjale optimiste. Futbollisti: “Edhe me lojtarët që kemi në dispozicion, pa përforcime, përsëri ne do të jemi kampion”
Për futbollistin e Skënderbeut, Sabjen Lilaj, dy humbje në miqësore nuk janë shqetësim. Shumë më tepër kur humbjen kanë ardhur nga ekipe të njohura dhe me buxhete shumë herë më të mëdha se ai i Skënderbeut.
Lilaj, ashtu si Josa, edhe me këtë grup lojtarësh e shikon Skënderbeun kampion. Edhe në kushte kur nga ana tjetër pranon se, pas tre lojtarëve të larguar, ekipi ka nevojë edhe për të tjerë.
“Për të qenë akoma më i fortë”, pranon mesfushori i skuadrës sonë kampione në intervistën e dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Gazeta e Sportit”, intervistë që AlbanianSport.com jua solli në dy pjesë dhe pjesa e parë ishte dje, ndërsa e dyta sot.
– Lilaj, tre lojtarë të larguar. Mund të flasim për “gropa”?
– Çdo lojtar i larguar nga skuadra sigurisht që krijon një farë të “çarë”, por nuk mund të them se hapen “gropa”, cilido lojtar të jetë ky.
– Mirëpo, a nuk mund të themi se duhen lojtarë të tjerë?
– Këtë po e pranoj. Pas një faze, në gjykimin tim, edhe vet trajneri ka një ide më shumë për grupin e lojtarëve. Ashtu siç është më shumë në gjendje të thotë se çfarë lojtarësh i duhen skuadrës. Pastaj një ekipi si Skënderbeu i duhen të tjerë lojtarë edhe për të qenë një ekip më i fort se ai i dy fazave të para.
– Sipas jush të çfarë “race” duhet të jenë keta lojtarë?
– Nuk jam në gjendje të them nëse duhet të jenë mbrojtës, mesfushorë, apo sulmues. Ajo çfarë mund të them është se edhe Skënderbeu, si të gjitha ekipet e tjera, pas dy fazave ka nevojë për lojtarë të tjerë. Këtu besoj se biem dakord edhe bashkë.
– Dy stërvitje në ditë. Të lodhshme?
– Sigurisht që po. Por e rendësishme janë që stërvitjet përballohen nga e gjithë skuadra. Dhe kjo është gjë e mirë mendoj. Sepse kjo tregon se të gjithë janë përshtatur më së miri me ngarkesat e këtyre ditëve edhe duke qenë në maksimum. Fakti që nuk ka asnjë lojtarë të dëmtuar këto ditë e tregon mjaftë mirë këtë.
– Lilaj, Tirana, Partizani, por dhe Kukësi, pa thënë skuadra të tjera, kanë lëvizur në merkaton e dimrit…
– Kjo tregon se kanë pasur “gropa” në dy fazat e tjera.
– Skënderbeu nuk ka asnjë “gropë”?
– Trajneri, me sa kam lexuar në gazetat sportive, është shprehur se “e kam grupin për të qenë “kampion”.
– Në një linjë me Josën jeni edhe ju?
– Patjetër që po.
– Atëherë, Skënderbeu është “kampioni” i këtij sezoni?
– Nuk shikoj ekip tjetër më afër titullit se Skënderbeun. Qoftë edhe me lojtarët më të cilët kemi luajtur në dy fazat e këtij kampionati.
– Ka prej atyre që thonë se Kukësi është më pranë titullit?
– Mos harroni dy pikë larg e kemi këtë skuadër. E shikoni se nuk e kemi dhe aq të larguar.
– Partizani dhe Tirana nuk ju shqetësojnë?
– Kjo është tjetër gjë. Ky kampionat është shumë herë më i fortë se të gjitha kampionatet e fundit. Edhe për atë se janë rikthyer edhe këto dy ekipe. Por Skënderbeu është ekip më i plotë. Për shumë arsye.