Gjergj Vyshka 11.01.2015 11:15
Mbipopullim në mesfushë, Mehmeti duket se do t’i ketë zgjidhjet e vështira. “Skarcohen” lojtarët që ishin në provë, mbesin vetëm ata që kanë qenë pjesë e ekipit. Dinamo rezulton me dy formacione gati për të përballuar pjesën e dytë të Kategorisë së Parë, e cila do të nisë më 7 shkurt në përballjen me Lushnjën kryesuese në “Roza Haxhiu”. Kjo vërehet nga ndeshja e kontrollit që trajneri Mehmeti ka bërë dje brenda familjes, ndërsa serinë e miqësoreve pritet ta nisë të mërkurën.
Ende pa e nisur këtë test kontrolli, Mehmeti ka skarcuar të gjithë ato lojtarë që i ka pasur deri më tani në provë, sepse askush nuk e ka bindur për të mbajtur fanellën e rëndë të Dinamos. Ka mbajtur vetëm ata që deri më 20 dhjetor 2014 kanë qenë pjesë e Dinamos në ndeshjen e fundit e luajtur ndaj Sopotit në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Të tillë si Tahiraj, Milushi, Kllari, Pashaj dhe Thaçi, i cili ka ardhur nga Besa e Kavajës.
Dhe dy formacionet ishin: Lamellari – Rexhepi, Shkalla, Turtulli, Milushi – Tahiraj, Thana, Kllari, Tafaj – Rezi, Turdiu. Në krahun tjetër: Guga – Tragaj, Pashaj, Thaçi, Imami – Deliu, Matraku, Allmuça, Ferraj – Arifaj – Xhafaj. Dje kanë munguar Muça dhe Capa, të cilët vazhdojnë për shkak të dëmtimeve në stërvitje individuale, por dhe Mishel Bilibashi, i cili ka shkuar në Greqi për të rregulluar letrat e dokumentet e veta. Ndërkohë që tashmë nuk janë më pjesë e skuadrës Kuka dhe Çeka sepse janë larguar drejt Gjermanisë.