AlbanianSport.com 11.01.2015 10:35
ASNN – Mançester Junajtid është gati të bëjë goditjen e parë të madhe në merkaton e janarit dhe, sipas mediave lokale, klubi anglez ka arritur marrëveshjen me Mats Humels. Mbrojtësi i përfaqësueses gjermane ka kërkuar largimin nga Borusia e Dortmundit, ndërsa Mançester Junajtid do të shpenzojë 40 milionë euro për transferimin e tij.
Nëse Humels do të jetë blerja e madhe në janar, klubi anglez po përgatit një tjetër tranferim të bujshëm në merkaton e verës. Trajneri holandez, Luis Van Gal, kërkon Gereth Bejlin dhe Mançester Junajtid është gati të paguajë 120 milion euro për futbollistin e Realit të Madridit.
Të gjitha këto nënkuptojnë se, edhe ajo pak hapësirë që ka patur në dispozicion, është zvogëluar së tepërmi për Adnan Januzajn, emri i të cilit kthehet sërish në valle në merkaton e janarit. Pasi dështoi në blerjen e Xherdan Shaqirit dhe Uesli Snajderit, Juventusi kërkon të marrë shërbimet e mesfushorit të Mançester Junajtid.
Kampionët e Italisë kanë nisur kontaktet e para me klubin anglez dhe kërkojnë në formë huazimi futbollistin me origjinë kosovare. Kartoni i Januzajt vlerësohet rreth 25 milionë euro, por Juventusi nuk ka ndërmend të paguajë menjëherë këtë shumë, duke pretenduar të huazojë lojtarin deri në fund të sezonit.