Gjergj Vyshka 11.01.2015 08:35
Mustafa Agastra, quajtur ndryshe Faku, siç kanë dashur ta thërrasin shokët e tifozët pukjanë, nuk do të jetë më pjesë e Tërbunit. Dhe për rrjedhojë, për gjithçka që ai ka dhënë për Tërbunin, teksa sezonin e kaluar ka qenë edhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, tifozët pukjanë jo vetëm që e kanë falënderuar, por i kanë thënë se do të ngelet gjithnjë në zemrat e ultrasve “Shqiponjat e Veriut”.
Në kushtet e largimit të Agastrës nga skuadra, atëherë tek pukjanët janë shtuar shanset që të vijë sulmuesi i Butrintit, Arbër Dhrami. Pukjanët janë në tratativa me të, ndërsa deri më tani kanë bërë tre afrime, që janë Bekim Erkoçeviç, Abaz Karakaçi dhe Ibrahim Bejte. Por në të njëjtën kohë janë shënuar dhe dy largime, që janë portieri Enis Gjokoviç dhe sulmuesi Mustafa Agastra.
Kësisoj pukjanët duket se në pozicione të veçanta duhet të rihyjnë në merkato dimërore, ndërsa janë dhe në pritje të futbollistëve të huaj, të cilët mund të bëhen të ditur vetëm të hënën kur trajneri Elvis Plori të jetë në stërvitje, i cili deri më tani ka qenë në Francë.