Nga Gëzim Sinemati 11.01.2015 07:55
Altin Lala ka qenë futbollisti që nuk e dërgonte topin në rrjetën e kundërshtarit, por goli i tij ishte i padukshëm dhe vetëm sytë e stërvitur e kuptonin se trupi i vogël lëshonte hije të madhe në fushë. Kjo është arsyeja që në Gjermani e çmojnë më shumë se në vendin e tij. Madje, kur kanë mësuar se Lala do të ulej në stol si trajner i moshave, komenti ishte më shumë se dashamirës: “Kur futbollin ta mësojnë njerëz si Altini, të duhen një palë sy dhe një palë vesh për të përpirë çdo veprim dhe çdo fjalë”.
Është nxënës i De Biazit në ekipin kombëtar, kërkon edhe ai të vjedhë më të mirën nga italiani, por nuk u lutet futbollistëve që të vishen kuqezi. Kur Avdijaj dhe Sulejmani, dy futbollistë të talentuar, kanë refuzuar ftesën për ndeshjen miqësore me Italinë, Lala është treguar Lala, pa grimën e hipokrizisë: “Cili refuzon Kombëtaren, qoftë edhe yll i madh në fushë, nuk meriton të grumbullohet”.
Fjalë, të cilat vlejnë si leksion edhe për mësuesin e tij italian, i cili nuk humbet rastin pa ëndërruar se “Kombëtarja jonë me Shaqirin, Berhamin dhe Xhakën do të ishte ndër 8 më të mirat e Evropës”. Pak kohë më parë, kur Kombëtarja udhëtonte përgjatë 90 minutave me pasaportë false, edhe na falej të ëndërronim për futbollistët që na kishin refuzuar dashurinë.
Mirëpo në këto momente, kur krenaria nuk është vetëm në tribuna, por ka zbritur edhe në fushë tek futbollistët, duket sikur realiteti është më i bukur se vetë ëndrra. Edhe nëse ndodh ajo që nuk presim, një gjë është e vërtetë: këtë sezon përjetimi ka qenë më aventuresk. Pale sikur të besonim edhe njëherë në përrallën zyrtare për 3 pikët e Beogradit, çka flitet se mund të jetë dhurata e vonuar e Plakut të Vitit të Ri.
Kudo që të shkojë ruleti i fatit, ky sezon është më ndjellës dhe De Biazi tregohet më i çiltër kur kundërshton edhe De Biazin e sezonit të kaluar, saqë në momente jo kaq të favorshme, ishte i detyruar të fabrikonte frazën lakonike: “Unë besoj”. Momenti për të besuar ka ardhur, veç është më e moralshme kur flet fusha, më shumë edhe se heronjtë.
* Botohet me lejen e autorit dhe duke respektuar ekskluzivitetin kohor të së përditshmes më të madhe sportive në Shqipëri, “Panorama Sport”.
Linku origjinal: http://www.panorama-sport.com/opinion/kur-lala-i-jep-leksion-edhe-mesuesit-italian/#ixzz3OWCTymFi