Olgert Serani 25.09.2014 22:55
Me shpalljen e kampionëve të vendit në fundjavë që rezervoi edhe një rekord kombëtar me Daniel Godellin, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka nisur punën me përzgjedhjen e kandidatëve për Botërorin e Almatit, Kazakistan, që do të mbahet nga data 4, deri më 16 nëntor 2014. Në një takim me dy trajnerët e kombëtares, Sokol Bishanaku e Zef Kovaçi, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Muharrem Berisha, presidenti i Federatës, Elez Gjoza, ka bërë një planifikim të numrit të sportistëve në peshat respektive përpara verdiktit të sotëm që do të japë kryesia.
Lajmin e konfirmon zyrtarisht për gazetën “Panorama Sport” presidenti Gjoza. “Paraprakisht u ra dakord që pjesë e ekipit kombëtar të Botërorit të jenë për meshkuj një sportist i peshës 62 kg, dy të peshës 77 kg, dy të peshës 85 kg, dy të peshës 94 kg dhe një sportist i peshës 105 kg. Ndërsa për femra kandidate janë Romela Begaj dhe Shqiponja Brahja. Por, me përzgjedhjen e sotme që do të bëjë kryesia, Shqipëria do të shkojë në Botëror me 8 sportistë. Megjithatë, deri në shpalljen finale të emrave do të ketë edhe testime të tjera.
Sakaq, Kombëtarja do të zhvillojë një tjetër fazë përgatitore në Greqi me homologen vendëse, kësaj here në Edesa, ku edhe atje kushtet e stërvitjes janë shumë të mira. Në fakt, sot do të niset drejt Greqisë sekretari Berisha, ku do të bëjë një inspektim të fundit të ambienteve. Jo të gjithë peshëngritësit do të grumbullohen në Greqi, dy ose tre do të stërviten në Tiranë. Për dijeni, faza përgatitore do të zgjasë deri më 25 tetor, për t’u bërë gati më pas për Botëror.
Gjatë qëndrimit atje është planifikuar edhe një garë kontrolli, si dhe më kryesorja është që të gjithë peshëngritësit do t’u nënshtrohen kontrolleve antidoping pa diskutim”, deklaroi për gazetën Elez Gjoza, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
MESHKUJ
Pesha 62 kg (1 sportist)
Pesha 77 kg (2 sportistë)
Pesha 85 kg (2 sportistë)
Pesha 94 kg (2 sportistë)
Pesha 105 kg (1 sportist)
FEMRA
Romela Begaj
Shqiponja Brahja?