Gjergj Vyshka 10.01.2015 14:35
Saliaj: Mesfushori do të shkojë në Greqi për të rinovuar letrat e më pas do të kthehet. Nga blutë konfirmohen se Kuka e Çeka janë vetëm për stërvitje, ndërsa do ikin nga Gjermani. Dinamo siguron dhe shërbimet e mesfushorit Mishel Bilibashi, i cili të hënën do të largohet drejt Greqisë. Sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, mesfushori do të shkojë në shtetin helen vetëm për të bërë rinovimin e letrave dhe më pas do të jetë në dispozicion të skuadrës së Dritan Mehmetit, atje ku pritet ta forcojë dhe më shumë repartin e mesfushës.
Ndërkohë vazhdojnë tratativat me mbrojtësin shkodran Antonio Marku, i cili në një mesazh drejtuar administratorit të bluve, Ismet Saliaj, i ka bërë të ditur dëshirën e tij për të qenë pjesë e skuadrës së kryeqytetit. “Jam duke shkuar në periudhë përgatitore në Ulqin me Vllazninë, por me mendje jam aty. Nëse do të ketë zhvillime, apo bisedime, duhet të kontaktoni me babain tim dhe nëpërmjet tij lidhemi”, ka thënë Marku në mesazhin drejtuar të enjten në mbrëmje për administratorin e bluve, Ismet Saliaj.
Nëse vijnë dhe këto dy futbollistë, atëherë numri i të afruarve zyrtar për Dinamon në tregun e lëvizjeve të futbollistëve është pesë. Që do të thotë se deri më tani janë të konfirmuar Turtulli, Xhafaj, Allmuça, Bilibashi, Marku. Pra në vija të përgjithshme është aq sa kishte pasur dëshirë Dinamo dhe administratori i bluve për të afruar në skuadër në këtë periudhë. Dhe duke ruajtur grupin, por dhe duke marrë dhe këto futbollistë, atëherë dinamovitët ndihen të sigurt në realizimin e objektivit për t’u ngjitur në Superiore.
Për Klajdi Kukën dhe Andi Çekën, të paktën edhe sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, të dy këta futbollistë nuk janë në planet e Dinamos, sepse janë vetëm për stërvitje, ndërsa do të largohen përsëri në Gjermani.