AlbanianSport.com 10.01.2015 11:15
ASNN – Edhe pse me një grup model, trajneri i Studentit, Ylli Tomori, pranon se skuadra e tij ka nevojë për freskim në funksion të titullit “kampion”, si edhe të rritjes së nivelit cilësor të lojtarëve të rinj. “Ne mund të marrim 2, 3 edhe 4 lojtarë pavarësisht sa luajnë, – ka deklaruar kreu i pankinës së studentorëve, duke folur për të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport”.
Ne do të kemi edhe nevojën e kulturën e lojtarëve të huaj, – ka vijuar ai. – Kështu e kemi gjykuar me shefin e klubit. Ndihmë ne nuk kemi përveç sponsorëve, të cilët nuk janë asnjëherë të zhgënjyer nga klubi dhe skuadra e volejbollit të Studentit për ecurinë e rezultateve të arritura. Atë kontribut që kanë dhënë, u është shpërblyer me vendin e parë. Edhe shumë të tjerë mund të sigurojnë sponsorizime, por a shpërblehen?”
Trajneri Tomori zbardh edhe emrat që janë favoritë për të veshur fanellën e kampionëve. “Deri tani kemi provuar shtatë të huaj, nga të cilët dy malazezë, dy italianë dhe tre bullgarë, – ka zbuluar Tomori, i cili është edhe trajner i Kombëtares së rrjetës së meshkujve. – Në sondazhet që unë kam edhe si trajner i kombëtares, më rezulton që ka edhe shqiptarë apo edhe kosovarë që luajnë në vende të ndryshme.”
“Ata duan të vijnë të aktivizohen me Studentin me një skuadër shqipfolëse. Këtu mund të rikthej në kujtesë Gazmend Husajn dhe Adriatik Kajtazit. Mes këtyre 7-8 kandidatëve, ne do të zgjedhim më të mirët dhe nuk do të pyesim për çmim”, – ka përfunduar kreu i pankinës së kampionëve të volejbollit të meshkujve, Studentit, Ylli Tomori, duke folur për të përditshmen më të madhe sportive shqiptare, “Panorama Sport”.