AlbanianSport.com 25.09.2014 22:05
ASNN – Po afron dita e parë e kampionatit dhe Besëlidhja, sezonin e ri futbollistik, do ta nisi në shtëpinë e vet, teksa do të presë Burrelin. Janë dy skuadra të forta, të cilat kanë të njëjtin objektiv, që është ngjitja në Superiore. Besëlidhja është duke u përgatitur seriozisht për këtë ndeshje, ndërsa për asnjë çast nuk e ka ulur ritmin e përgatitjes, ndërsa lojtarët kanë rritur moralin e tyre se duhet fituar ndeshja e së shtunës. Çdokush nga tifozët lezhjanë këto ditë ka vetëm një temë diskutimi, që është ndeshja e së shtunës me Burrelin dhe nxjerrja e saj me sukses.
Madje ata janë të bindur se do të jetë një Besëlidhje bindëse në lojë, ndërsa në stadium, edhe për meritë të presidentit Ndoka, nuk do të mungojë asgjë. Presidenti i lezhjanëve i ka qëndruar në kokë jo vetëm punimeve në stadium, në mënyrë që të plotësojë të gjitha standardet e Federatës Shqiptare të Futbollit, por dhe skuadrës. Dhe duke parë këtë mobilizim total të skuadrës, mbrojtësi i Besëlidhjes, Armand Ndoka, do të deklaronte se ky repart jo vetëm që do të jetë i pakalueshëm për të gjithë, por do të kthehet në një “bunker” të pathyeshëm.
“Kemi krijuar një grup solid, ndërsa i kemi harmonizuar të gjitha veprimet tona. Ndaj e them hapur se do të jemi të pathyeshëm, – ka deklaruar ai. – Besoj se nuk do të zhgënjejmë dhe do të arrijmë fitoren e parë të sezonit në fushën tonë. Do ta vlerësojmë kundërshtarin që do të kemi përballë dhe nuk do të bëjmë gabime. Sepse do të na dëmtojnë”. Për një Besëlidhje solide ka folur dhe Sajmir Kola, ish-mbrojtësi i Besëlidhjes, Kastriotit dhe Laçit në vitet 1991-1995.
“Mbrojtja e Besëlidhjes nuk ka pse të habisë askënd, sepse është në traditën e futbollit lezhjan që ta ketë të fortë atë. Kujtojmë Bicin, Dedën, Lorencin, Gegën, të cilët kanë qenë vërtetë një plejadë e mrekullueshme e futbollit lezhjan. Kanë qenë një bunker i fortë, të vështirë për t’u çarë e për të lënë hapësira për kundërshtarin. Ata kanë qenë vigjilent ndaj sulmuesve kundërshtarë, ndërsa edhe sot mbrojtja e Besëlidhjes do të jetë një bunker i fortë”, – ka përfunduar Kola.