AlbanianSport.com 09.01.2015 16:55
ASNN – Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të sezonit në vendin e 6-të të renditjes së Kategorisë Superiore, me 23 pikë të grumbulluara në 18 javë, ka nisur të mërkurën në Shkodër fazën përgatitore dimërore. Sipas trajnerit zviceran të kuqebluve, Baldo Raineri, e rëndësishme rinisja e stërvitjes, ndërsa destinacioni i periudhës përgatitore dimërore është në dorë të klubit.
Pas pushimit të fundvitit, skuadra e Vllaznisë është rikthyer në stërvitje dhe lojtarët që e mbyllën 2014-n, së bashku me disa lojtarë të rinj, por edhe disa të tjerë që do të provohen në këtë merkato të dimrit, janë vënë nën urdhërat e trajnerit zviceran Baldo Raineri. Ky i fundit ka theksuar se për të është e rëndësishme rinisja e stërvitjes, ndërsa destinacioni i periudhës përgatitore dimërore është në dorë të klubit.
“T’ju them të drejtën, duke lënë mënjanë kënaqësinë që të japin festat me fëmijët, mezi kam pritur t’i rikthehemi stërvitjes – ka thënë ai. – Përsa i përket vendit se ku do të zhvillojmë fazën stërvitore, për mua kjo s’ka asnjë rëndësi. Ajo që ka rëndësi për mua është që kudo që të jemi, të kemi në dispozicion një fushë futbolli, topat dhe pajisjet e tjera të stërvitjes dhe kaq më mjafton.”
“Në përgjithësi, jam i kënaqur me gjendjen e lojtarëve pas kthimit nga pushimet, por mund t’ju them se për ne sezoni tashmë ka filluar”, – ka shtuar Raineri. Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të sezonit në vendin e 6-të të renditjes së Kategorisë Superiore, me 23 pikë të grumbulluara në 18 javë, ku ka korrur 8 fitore dhe ka pësuar po aq humbje, ndërsa ka marrë edhe dy barazime. Por shkodranët janë penalizuar nga FIFA me heqjen e 3 pikëve.