AlbanianSport.com 09.01.2015 11:40
ASNN – Remzi Ejupi mëton të vazhdojë ndërkombëtarizmin e Prishtinës, por për një gjë të tillë i duhet ndihmë. Futbolli kosovar po vazhdon të injorohet nga politika. Të paktën, jashtë fushatave zgjedhore. Kështu thotë kreu i klubit të futbollit të Prishtinës, Remzi Ejupi. E, sipas këtij të fundit, edhe ato para që janë ndarë për sport, kanë shkuar për interesa partiake.
“Është problem pasi askush nuk ka ardhur për t’u interesuar se ҫfarë bëjmë ne, me ҫka merremi, – ka deklaruar Ejupi për median kosovare në Internet, “Express”. – Ka tetë vjet që askush prej federatës nuk ka ardhur për një vizitë te ne, vizitë zyrtare. Falë dashamirëve të sportit kemi ardhur gjerë këtu, mirëpo për të ecur përpara sporti duhet të bëhet depolitizomi.”
Përkundër kësaj, Ejupi dhe zyrtarët e tjerë të klubit më të madh kosovar nuk demotivohen. Ai thotë se do të vazhdojë të punojë për ta dërguar klubin përpara. Një ndihmë për këtë synim të tij është edhe ajo që iu premtua sot nga vizita, që ai e quan e parë, e një zyrtari të sportit në klubin e tij. Ministri i Sportit, Kujtim Shala premtoi 500 mijë euro investime në stadiumin e Prishtinës.
“Ne po mendojmë vetëm për t’u ndërkombëtarizuar, mirëpo ҫfarë më pas? Ne nuk kemi asnjë stadium që do të mund ta pritnim dikë”, – thotë Ejupi. Vitin e kaluar, Prishtina zhvilloi miqësoren më të madhe te një klubi kosovar paslufte, atë kundër Sivasporit në kryeqytet.