AlbanianSport.com 08.01.2015 17:15
ASNN – Duke folur pas ndeshjes së humbur me rezultatin 1-2 me homologët italianë, trajneri i Nën-19-vjeçarëve të Shqipërisë, Altin Lala, tha: “Mund të them se jam i kënaqur nga loja që kanë zhvilluar djemtë e mi, ndonëse kam rezerva për dy golat që pësuam, sepse erdhën për shkak të gabimeve tona në mbrojtje.”
“Nëse do të ishim treguar më të vëmendshëm them se nuk do t’i kishim pësuar, gjithsesi jam i kënaqur, – ka vijuar ai. – Në stadium ka qenë një atmosferë shumë e bukur, pasi patëm mbështetjen e tifozerisë. Përsa i përket lojtarëve që në të ardhmen mund të jenë pjesë e Kombëtares është ende herët për këtë, pasi më parë duhet të luajnë në skuadrat e tyre”.
Ndërsa homologu i tij, trajneri i Nën-19-vjeçarëve të Italisë, Paolo Vanoli, tha: “Kemi bërë një lojë të mirë përballë Shqipërisë që vjen në rritje dhe jam i kënaqur për këtë fitore. Djemtë treguan një shpirt të lartë gare në momentet kur mbetëm pa portier dhe me një lojtar më pak. Ne nuk i dhamë mundësinë kundërshtarit për të goditur në portë.”