AlbanianSport.com 08.01.2015 14:35
ASNN – Në pjesën e parë, loja do të nisë mjaft vrullshëm për miqtë, të cilët që në fillim mundohen të shtyjnë përpara dhe të krijojnë raste të rrezikshme. Në minutën e 5-të dhe në atë të 8-të për pak sa nuk realizojnë, por portieri Kastrati tregohet në gatishmërinë e duhur dhe nuk lejon prekjen e rrjetës. Nga ana tjetër edhe ekipi i Lalës mundohet të shtyjë përpara me Manajn, i cili në minutën e 20-të nuk përfiton siç duhet nga topi që i mbërrin në këmbë, duke goditur jashtë.
Mirëpo goli për miqtë nuk do të vononte, teksa Bifulko në të 25-tën lihet i lirë për të goditur brenda zonës dhe qetësisht mposht edhe Kastratin duke kaluar në epërsi “axurrët”. Kuqezinjtë nuk arrijnë të dalin dot përpara, ndërsa duhet të falënderojnë portierin Kastrati, që nuk e ka lejuar pësimin e golit. Në të 39-tën Mineli fiton një 11-metërsh, godet po vetë, por pret portieri ynë. Shqipëria hyn me tjetër vrull në këtë pjesë të dytë, teksa Lala bën edhe disa zëvendësime që freskojnë skuadrën.
Rastet do të vijnë dhe protagonist bëhet sulmuesi Manaj, që mundohet të krijojë hapësira për të goditur, por që shpeshherë neutralizohet nga mbrojtja mike. Në minutën e 67-të atë do ta ndalonte shtylla pingule. Tanët marrin zemër dhe e zhvendosin lojën në zonën e miqve, por goli është ai që mungon. Përpjekjet do të shpërblehen me gol në minutën e 71-të, teksa Manaj fiton një 11-metërsh dhe po vetë merr përsipër për ta goditur dhe barazon shifrat në 1-1.
Nuk ka kohë për shumë festë, sepse italianët dalin bukur në kundërsulm, duke kaluar sërish në epërsi në minutën e 78-të, kësaj here me anë të Dalmontes. Në minutat e mbetura miqtë mbesin me 10 lojtarë pas daljes me të kuqe të portierit Audero. E megjithatë tanët nuk ia dalin të barazojnë.