AlbanianSport.com 08.01.2015 13:55
ASNN – Kushtet e motit e kanë bindur trajnerin Devolli të mos e zhvillojë stërvitjen e paradites duke u mjaftuar vetëm me atë në mesditë. Dhe është bërë kjo zhvendosje, sepse skuadra ka pasur dhe një takim me presidentin Flamur Bime, i cili i ka uruar lojtarët për Vitin e Ri, si dhe ka uruar të sapoardhurit në skuadër. Janë afruar deri më tani Tahirllari, Braho, Dosti, ndërsa është në provë edhe lojtari i ri A. Kalemi, i cili ka luajtur më parë me skuadra greke të Kategorisë së Dytë.
Ndërkohë që Bime ka premtuar se të tjerë futbollistë do t’i bashkohen ekipit me synim rritjen e cilësisë së lojës e kushtëzuar kjo edhe nga kushtet ideale që krijohen me përfundimin e punimeve në fushën e vjetër. Bime mbi të gjitha ka premtuar mbështetje financiare për skuadrën, si dhe është treguar i gatshëm për plotësimin e të gjitha kushteve e kërkesave që kanë futbollistët. Por kushti për plotësimin e këtyre kërkesave është që futbolli gjirokastrit të ngrihet në nivelin e kërkuar, apo atje ku ka qenë vite më parë me emrin e mirë që ka lënë.
Tapeti i ri i fushës krijon mundësinë e përgatitjeve të ekipeve zinxhir duke mos u mjaftuar vetëm me dy ekipe moshash, por dhe ngritjen e një sistemi të mirë organizuar zinxhir, që do të bëjë të mundur përgatitjen e talenteve. Ditën e sotme do të vendosen edhe portat e fushës dhe me përfundimin e dhomave të futbollistëve e gjyqtarëve, si dhe të disa ambienteve shtesë, bëhet i mundur përfundimi i këtij impjanti dhe është parashikuar një ndeshje miqësore ditën e shtunë.