AlbanianSport.com 25.09.2014 20:25
ASNN – Në prag të ndeshjes me Dinamon, për gazetat sportive të ditës, futbollisti Erlis Frashëri, do të deklaronte: “Për sa i përket ndeshjes që nisim kampionatin, është një kënaqësi që kemi përpara një skuadër si Dinamo. Ne jemi përgatitur në të gjitha mënyrat që ta nxjerrim me sukses këtë takim. Këtë e bazoj tek puna që kemi bërë edhe në këto dy javë shtyrje dhe jemi plotësisht gati për të përballuar kampionatin.”
“Unë jam i sigurt që do të jetë një ndeshje, e cila do të flasë vetëm për ne, – ka theksuar ai. – Në skuadrën tonë ka futbollistë që e dinë se ku çalon kundërshtari, prandaj do të dimë ta godasim në ato pika që nuk mund të funksionojnë tek Dinamo. Do të futemi në fushën e lojës me mendimin ta bllokojmë Dinamon në çdo aksion që mund të mund të marrë dhe do ta detyrojmë të dorëzohet me çdo kusht.”
“E kam theksuar edhe në deklaratën e parë, që ditën që do të niste kampionati, se Dinamos sa herë e kam pasur përballë si kundërshtar, aq herë i kam shënuar, – ka kujtuar ai. – Këtë sezon që jam pjesë e Luftëtarit garantoj se do t’i shënoj në ndeshjen e së shtunës, sepse jam në formë shumë të mirë dhe në rast fitoreje do të jem unë i pari që do të gëzoj më shumë së bashku me tifozërinë gjirokastrite.”
“Dhe me të gjithë mbështetjen që ato na japin në stërvitje do të thotë se ata nuk kanë për të munguar në këtë kampionat, në një kohë që ne do t’i kënaqim me ngjitjen në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar lojtari i Luftëtarit, Erlis Frashëri.